Situata e mbetjeve të rrezikshme në Berat është problematike. Në kontenierët e qytetit, përfundojnë mbetjet e klinikave, farmacive, ndërkohë që më shqetësuese situata paraqitet në mbetjet e kontenierëve jashtë ambjenteve të Spitalit Rajonal ku përveç mbetjeve urbane në to gjenden edhe mbetje të rrezikshme spitalore.
Shiringa, age, fasho, doreza të përdorura vihen re me sy të lirë të hedhura në kontenierë, madje shumë prej tyre përfundojnë në tokë.
Fotot e marra, tregojnë qartazi gjendjen.
Në Spitalin e Beratit, vihet re gjithashtu edhe një dukuri tjetër po kaq problematike: djegia e mbetjeve në ambjentet e jashtme të spitalit ku shenjat e lëna nga djegia e tyre janë të dukshme.
Prezenca e mbetjeve spitalore nuk mungon as në koshe dhe kontenierë në lagje të tjera të qytetit, që duket se përfundojnë nga farmacitë, stomatologjitë dhe qendrat shëndetsore.